Pozita e gruas tek të tjerët dhe në islam

Pergatiti:
Mr. Sabri Jonuzi

 

Fillimi i ardhjes së islamit reflektoi shkëndijat e para përmirësuese individuale dhe sociale,duke i dhënë të drejtat absolute secilit individ,pa marr parasysh gjininë,racën,ngjyrën dhe kombin.Individi ose personaliteti në islam, ndërtohet dhe vlerësohet në bazë të dëlirësisë,moralit dhe diturisë ,e assesi sipas gjinisë,racës ose kombit.

Duke pasur parasysh këtë parim, shohim se Allahu i Lartëmadhëruar ngriti lart pozitën e femrës dhe i dha të gjitha të drejtat që i takojnë,duke mos bërë në esencë ndonjë dallim mes saj dhe mashkullit, përveq se me devotshmëri.Kjo më së miri kuptohet nga ky verset Kur’anor:O ju njerëz, Ne u krijuam nga një mashkull dhe një femër,dhe u bëmë fise dhe popuj që të njiheni mes vete.Vërtet më fisniku nga ju tek Allahu është ai i cili është më i devotshëm. Andaj, individi më i mirë dhe më fisniku tek Allahu është ai i cili ka devotshmëri,mashkull qoftë ose femër.

Së këndejmi,gruaja nuk konsiderohet element çrregullues apo burim i turbulencave në shoqëri,ashtu siq konsiderohej tek romakët,grekët e vjetër,hindusët,kinezët,hebrenjët dhe të krishterët.Nuk duhet habitur nëse gjejmë mendime të tilla edhe tek filozofët e ndryshëm,siq është Sokrati, i cili pretendon se: “Prezenca e gruas është shkaku kryesor i problemeve dhe turbulencave që ndodhin në botë,ajo është si një barishtë e helmuar e cila në pamje të jashtme duket e bukur,por nëse han nga ajo helmohesh”.

Mendim të ngjajshëm gjejmë edhe tek hebrenjët,të cilët gruan e konsiderojnë të mallkuar, për shkak se ajo sipas tyre mashtroi Ademin dhe e bëri të gaboj. Njëashtu,vajzën konsideronin sikurse të ishte shërbëtore,ku babai i saj kishte të drejtë ta shes ashtu siq shiteshin skllevërit.Nuk kishte të drejtë në trashëgimi, përveq nëse nuk kishte vllezër,dhe si e tillë i lejohej të mirrte nga pasuria e patundëshme,por jo edhe nga ajo e tundëshme.

Edhe tek krishterët ekziston mendimi se gruaja është burim i mëkateve dhe të këqijave,sa që disa nga priftërit si Tortolijani,Sostami thonë se “gruaja është një e keqe pa të cilen nuk bën,apo se ajo është derë nga dyert e djallit për tek njeriu”.

Ligji françez ,pas revolucionit françez, ka nënvizuar se: “Fëmiu,i marri dhe gruaja janë qytetar të mangët”,derisa është përmirësuar ky nen në vitin 1937.Mirëpo edhe në ditët e sotme ekziston neni 217 i cili nënvizon se:”Femra nuk ka të drejtë pasurinë e saj t’ia fal askujt,e as t’ia huazoj,si dhe nuk i lejohet të bëjë asnjë kontratë pa pëlqimin e burrit, apo pjesëmarrjen direkte të tij në kontratë”.

Ligji anglez deri para nje shekulli nuk  llogaritte femrën prej qytetarëve te tij,andaj ajo nuk kishte të drejtat elementare,nuk kishte të drejtë në pasurinë të cilën e fitonte,e as në atë që e posedonte.Bashkeshorti kishte të drejtë deri në vitin 1805 të shes bashkeshorten e tij,sa që ishte caktuar edhe çmimi i saj me gjysëm shilingu(6 bunsat).

Muhamed Rashid Rida thotë: “Prej çudirave të cilat i bartin disa gazeta angleze është se edhe në këto ditë(fjala është për vitet 1930-1940.sh.p.) në disa fshatra angleze ka burra të cilët i shesin gratë e tyre për çmime shumë të lira, si 30 shiling,sa që këto gazeta përmendin emrat e disa personave të tillë”.[1]

Kjo që përmendëm më lart, ishin disa shembuj modest te cilët ilustrojnë qartë pozitën e gruas tek këto civilizime,duke mos dashur të thellohemi në të dhëna të tjera të cilat habisin edhe njerëzit më të thjeshtë.

Gjersa kjo gjendje e femrës mbretëronte tek popujt e ndryshëm, në islam, ajo gëzoi të gjitha të drejtat ashtu si burri,kishte të drejtë në pasuri ,trashëgimi,kërkimin e diturisë,zgjedhjen e bashkëshortit, etj.

Pejgamberi –paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- qysh para 14 shekujve këshillonte shokët e tij të janë të kujdesshëm ndaj grave,të respektojnë ato dhe të drejtat që kanë, u thoshte: “Keni frikë Zotin në të drejtat e grave”,ose “U porosis të jeni bamirës ndaj grave”,e si mos të jetë kështu kur kjo grua është nënë,motër,vajzë ose bashkëshorte e secilit prej nesh.

Në përgjithësi Allahu i Lartësuar caktoi përgjegjësit ndaj femrës kur ajo është vajzë, sistematizoi jetën e saj si bashkëshorte e ndershme, kurse sa i përket rolit të saj si nënë,e ngriti në shkallën më të lartë.Prandaj lexues i dashur, eja të shohim së bashku pozitën që i dha Islami gruas në këto tri segmente të jetës: nënë,vajzë dhe bashkëshorte.

Gruaja në pozitën e nënës

Allahu i Lartëmadhëruar në disa versete kur’anore porositi,nxiti dhe urdhëroi bamirësinë ndaj prindërve,sa që këtë e krahasoi me urdhërin esencial të islamit adhurimin e Allahut të Vetëm.Sa për ilustrim po e sjellim këtë verset kur’anor: “Adhuroni Allahun,dhe askënd mos i bashkangjitni në adhurim,dhe jini bamirës ndaj prindërve”(En-Nisa, verseti 36). Andaj nëse thellohemi pak ne studimin e fjalisë së fundit të këtij verseti kur’anor ”dhe jini bamirës ndaj prindërve”,shohim se Allahu i Lartësuar urdhëroi në bamirësi,sjellje të mirë ndaj prindërve pa marr parsysh fenë e tyre,më konkretisht,ky obligim vlen edhe për ata të cilët kanë prindër jomusliman.Por çfarë mendon lexues i dashur, si duhet të sillemi me prindër kur ata janë musliman,e sidomos kur bëhet fjalë për nënën,e cila meriton bamirësinë absolute dhe sjelljen më të mirë që duhet t’a kemi ndaj dikujt në ruzullin tokësor.Këtë e argumenton kjo ngjarje të cilën e transmeton Ebu Hurejre i cili thote: Një person erdhi tek i Derguari i Allahut –paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- dhe i tha: O i Dërguar i Allahut,cili është më meritori në bamirësinë time?Tha: Nëna yte. Njeriu pyeti :Pastaj cili? I Derguari i Allahut prapë tha: Nëna yte.Njeriu pyeti:Pastaj cili?Tha :Nëna yte.Njeriu pyeti:Pastaj cili? I Derguari i Allahut tha: Babai yt.[2]

I Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- vazhdimisht këshillonte shokët e tij të jenë të kujdesshëm ndaj prindërve, edhe atëherë kur ata dëshironin t’i bashkangjiteshin në luftë kundër armiqëve te fesë,Pejgamberi -alejhi selam-i kthente dhe i urdhëronte të qëndrojnë pranë prindërve tyre.Këtë e sqaron ngjarja e një njeriu i cili erdhi tek Pejgamberi –alejhi selam- dhe i tha: O i Derguar i Allahut, dëshiroj të shkoj në luftë,prandaj erdha të konsulltohem me ty?Ndërsa Pejgamberi –alejhi selam- i tha: A ke nënë? Po,u përgjigj njeriu.Pejgamberi-alejhi selam- tha: Qëndro me të ,sepse xheneti është nën këmbët e saj.[3] Se respektimi i nënës është shkak që besimtari të fitojë mëshirën e Zotit dhe të shpëtoj nga ndëshkimi i Tij, e sqaron edhe këshilla të cilën i dha Ibën Omeri një personi,të cilit i tha: A dëshiron të shpëtosh nga zjarri i xhehenemit dhe të hysh në xhenet.Njeriu tha: Po,për Zotin këtë e dëshiroj.Tha :A i ke prindërit e gjallë?Njeriu tha:Kam nënën. Ibën Omeri tha: Për Zotin sikur të jesh i mirë dhe i butë në fjalët tua ndaj saj,dhe të ushqesh atë,do të hysh në xhenet përderisa largohesh nga mëkatet e mëdha.[4]

Ndërsa sjellja e keqe dhe bamirësia jo e duhur ndaj prindërve është nga mëkatet e mëdha, për të cilat na e tërhoqi vërejtjen i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi iAllahut qoftë mbi të- kur tha: Allahu ua ndaloi juve mos respektimin e nënave.[5] Apo ngjarja e ngjajshme kur i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- një ditë ishte në mesin e shokëve dhe u tha:A doni të ju tregoj për mëkatet më të mëdha?Sahabët thanë: Na trego, o i Dërguari i Allahut? Tha: T’i bëni shirk Allahut dhe të silleni keq me prindërit… .[6]

Nëse analizojmë ngjarjet e lartëpërmendura,vërejmë se Islami ngriti nënën në piedestalin më të lartë, ndaj së cilës shoqëria ka përgjegjësit më madhore,si në rrafshin individual ashtu dhe në atë kolektiv.Andaj,në islam, nëna është individi i cili meriton kujdesin,bamirësinë dhe respektin më të madh në tërë shoqërinë.

Gruaja në pozitën e vajzës

Islami nuk bëri dallim në mirësjelljen e butë dhe ndjenjën prindore, të cilën duhet të kenë prindërit ndaj fëmijëve të tyre,vajzë apo djalë.Përkundrazi ,urdhëroi të jemi të drejtë ndaj fëmijëve pa dallim gjinie,sepse kështu urdhëroi i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- kur tha: Keni frikë Zotin,dhe bëhuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj.[7]

Së këndejmi,urrejtja e vajzave  apo brengosja për shkak të lindjes së vajzave është prej traditave të injorancës, të cilën e qortoi Krijuesi Suprem përmes Kur’anit të tij Famëlartë ku Thotë :Dhe kur ndonjëri prej tyre përgëzohet me lindjen e vajzës,i nxihet fytyra dhe mbushet plot mllef.(En-Nahl,58).Bile kjo është shenjë e besimit të dobët,për shkak se nuk pajtohet me atë që Allahu i Lartësuar caktoi për të.

Dijetari Vathil ibën Eska’a thotë: Vërtet shenjë e bekimit të gruas është që ajo të lind vajzë para se të lind djal,për shkak se Allahu i Madhëruar Thotë: AI (Allahu) I dhuron kujt do femra,dhe I dhuron atij që do meshkuj.(Shura,49)Pra,Allahu i Lartësuar përmendi së pari lindjen e fëmijëve femra apo vajza,e më pastaj përmendi lindjen e fëmijëve meshkuj apo djemëve.

Jakub ibën Buhtan,bashkëkohanik i Ahmed iën Hanbelit thotë: Më lindën shtatë vajza, dhe sa herë që më lindte një vajzë,shkoja tek Ahmed ibën Hanbeli dhe i tregoja,ndërsa ai më thoshte: O Ebu Jusuf (sipas llagapit), Pejgamberët ishin baballarë të vajzave.

I Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- lavdëroi dhe nxiti muslimanët në edukimin e vajzave,andaj edhe i specifikoi në përmendje në disa hadithe të tij,ndërsa këtë nuk e bëri dhe nuk e tha për djemë.Transmetohet nga Enes ibën Malik se i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: Kush kujdeset dhe edukon dy vajza derisa ato të rriten, në ditën e gjykimit do të jemi unë dhe ai kështu –dhe bashkoi dy gishtat e tij-(d.m.th.së bashku.sh.p.).[8]Kujdesi dhe edukimi i vajzave garanton hyrjen në xhenet,dhe kjo kuptohet më së miri nga këto fjalë të të Dërguarit të Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ku thotë: Ai i cili ka tri vajza dhe i edukon ato,është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre,ka të garantuar xhenetin e përhershëm.Sahabet i thane: O i Dërguari i Allahut,e nëse i ka dy vajza? Tha :Edhe nëse i ka dy vajza.Xhabiri thotë: Disa menduan se sikur të pyetnin edhe për një vajzë(dmth.edukimin e një vajze.sh.p.),kishte me thënë Pejgamberi -alejhi selam- se kjo vlen edhe për një vajzë.[9]

Këto ishin disa fjalë të të Dërguarit të Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të– që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj vajzave. Ndërsa nëse shikojmë jetën praktike të tij –alejhi selam- shohim dashurinë,zemërgjerësin dhe mëshirën që kishte ndaj vajzave të tij,e sidomos ndaj Fatimes –Allahu qoftë i kënaqur me të- për të cilën tha: Fatimja është pjesë e imja,më shqetëson mua ajo që e shqetëson atë,dhe më lëndon mua ajo që e lëndon atë.[10]Gjithashtu kur e vizitonte Fatimeja Pejgamberin-alejhi selam-,ai ngritej në këmbë,e puthte në ball dhe e ulte pranë tij.

Andaj,porosia baballarëve nga kjo pozitë,do të ishte: Gëzohuni me vajzat që keni ,falenderone Allahun e Lartësuar për këtë dhunti, dhe mësoni nga shembëlltyra dhe modeli më i lartë, Pejgamberi -alejhi selam- formën e sjelljes dhe edukimit të tyre.

Gruaja në pozitën e bashkëshortes

Bashkëshortja nën hijen e islamit nuk konsiderohet ndytësirë apo burim i të ligave, siq konsiderohej tek të tjerët,përkundrazi Islami ngriti bashkëshorten në pozitën e saj të lartë që e meriton.Allahu i Lartëmadhëruar urdhëroi bashkëshortët të jenë përherë në ndihmë reciproke të njëri tjetrit,me dashuri,harmoni dhe ambient të ngrohët familjar.Ndërsa kjo shumë bukur përshkruhet në këtë verset Kur’anor: Dhe nga argumentet e (ekzistimit të Zotit) e Tij, është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetë ju,që të gjeni prehje tek ato,dhe Ai vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë.Vërtet në të ka tregues për popullin që mendon.(Rum,21).Kjo kuptohet edhe më qartë nga fjalët e Pejgamberit -alejhi selam- i cili thotë : Lumturia e njeriut është në katër gjëra: në grua të ndershme,shtëpi të gjerë,fqinj të mirë dhe mjet udhëtimi të rehatshëm.Prandaj,bashkëshortja e mirë konsiderohet dhunti nga dhuntitë e Allahut të Lartësuar,e që duhet falenderuar Zotin për të,dhe se njeriu është përgjegjës për këtë dhunti në ditën e gjykimit .

Transmetohet se Ebu Esved u kishte thënë fëmijëve të tij një ditë: Kam qenë bamirës ndaj juve kur ishit të vegjël dhe të mëdhenj,e edhe para se të lindeni.Fëmijët i thanë: Si ishe bamirës ndaj nesh para se të lindim.Tha: Për shkak se u zgjodha nënën me të cilën krenoheni dhe nuk fyheni.

Islami i nxit muslimanët të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve,kjo përndryshe është një prej obligimeve që ka burri ndaj gruas,për këtë i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: Më i miri prej jush,eshtë ai i cili është më i sjellshëm ndaj bashkëshortes së tij,ndërsa unë jam më i miri nga ju ndaj bashkëshortes sime.[11].Gjithashtu i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: Besimtari me besim më të plotë është ai i cili ka sjelljen,moralin më të mirë,dhe më të mirët në mesin e tuaj, janë ata të cilët kanë sjellje,moral më të mirë ndaj grave të tyre.

Në anën tjetër Pejgamberi -alejhi selam-  hidhërohej shumë kur dëgjonte se dikush ka rrahur bashkëshorten e tij,sa që thoshte: Ka të atille që i rrafin bashkëshortet e tyre sikurse që rrifet skllavi,e pastaj në fund të ditës përqafon atë.Apo siç ka ardh në një transmetim tjetër: “U jepni ushqim me të cilin ushqeheni ju,i veshni ashtu siç vesheni ju,mos i goditni në fytyrë,mos i ofendoni dhe mos i këshilloni(para të tjerëve) vetëm se në shtëpi.

Ndërsa i Derguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ishte njeriu më i sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tij, dhe asnjëherë nuk kishte goditur me dorë bashkëshortet e tij,këtë e dëshmon edhe Aisheja,gruaja Pejgamberit -alejhi selam- kur thotë: Pejgamberi -alejhi selam- asnjëherë nuk ka goditur ndonjë grua me dorën e tij.[12] Përkundrazi, u ndihmonte atyre ne punët e shtëpisë,dëfrehej,bënte shaka,garonte ne vrapim,vetëm e vetëm t’ua bëjë jetën sa më të mirë, më të lumtur dhe më kreative.

Krejt në fund,lexues i dashur, ke model të jetës,sjelljes dhe moralit, shëmbëlltyrën më të lartë, edukatorin tonë të dashur, të Dërguarin e Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të-,sepse këtu është lumturia dhe harmonia.Njëherit, respekto dhe ndero çdo grua, ashtu siç ke dëshirë të shohësh të respektuar dhe të nderuar nënën,motrën,vajzën dhe bashkëshorten tënde.

 

 

[1]-Muhamed Rashid rida,Hukuku nisa fil islam.

[2]-Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3]-Transmeton Nesai 6/11,Ibën Maxheh nr.2781.Ahmedi 3/429

[4]-Buhariu,Edebbul Mufred,nr.8.

[5]-Transmeton Buhariu ,3/270

[6]-Transmeton Buhariu, 5/193

[7]-Transmeton Buhariu,5/210

[8]-Transmeton Muslimi,nr. 2631

[9]- Buhari,El-Edeb,78

[10]- Transmeton Buhariu,7/67

[11]- Transmeton Tirmidhiu,nr.3892

[12]-Transmeton Muslimi,nr.2327

[13]-Sekineh Zejtun,El-Mereh fil islam,11.

[14]-Mustafa Sibai,El-Mereh bejnel fikhi ue kanun,20.