Pergatiti:
Mr. Sabri Jonuzi
Islami i kushtoi rëndësi të veçantë jetës bashkëshortore, e cila bazohet në zgjedhje të mirë dhe të përshtatshme të bashkëshortes ose të bashkëshortit. Fejesa është hapi i parë të cilin e ndërmerr muslimani për zgjedhjen e bashkëshortes, gjersa këtij hapi duhet doemos t’i paraprijnë disa kritere të larta ashtu që mos të ketë pasoja më vonë, ose që ato të jenë sa më të vogla.
I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- sqaroi se cili duhet të jetë kriteri kyç dhe themelor në zgjedhjen e bashkëshortes, ku thotë: “Gruaja martohet për katër çështje: për pasurinë e saj, për pozitën e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Andaj zgjedhe (gruan) për fenë e saj, të lumshin duart”.
Nga kjo këshillë e I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të-t kuptojmë se njerëzit zakonisht zgjedhin bashkëshortet e tyre për këto katër kritere, ndërsa muslimani I sinqertë, duhet të ketë kriter kryesor në përzgjedhjen e bashkëshortes, fenë dhe moralin e saj. Përmes kësaj zgjedhjeje arrihet harmonia dhe lumturia bashkëshortore, madje ndikimi i fesë dhe moralit të mirë nuk humb asnjëherë, por vetëm se shtohet me kalimin e kohës duke zbukuruar jetën familjare. Ndërsa pasuria, pozita dhe bukuria kanë ndikim të përkohshëm, si dhe nuk janë kritere që realizojnë harmoni të vazhdueshme në jetën bashkëshortore, por zakonisht janë çështje që nxisin në mendjemadhësi dhe lavdata.
Disa dijetarë këshillojnë pesonin i cili interesohet për bashkëshorte, që të pyes së pari për pasurinë, pozitën ose bukurin e femrës.Nëse jemi të kënaqur me këto kritere, atëherë të pyesim për fenë e saj, dhe nëse edhe këtu jemi të kënaqur, atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm se të zgjedhim fejesën.
Ndërsa nuk preferojnë të interesohemi së pari për fenë e gruas, e më pastaj për tri kriteret tjera, për arsye se nëse marrim përgjigje pozitive sa i përket çështjes fetare, dhe më pastaj negative për ndonjë nga veçoritë tjera (psh. bukuria), dhe nuk vendosim për fejesë, atëherë kjo lë të kuptohet se çështja e fesë së gruas nuk është primare tek ky person.
Koncepti dhe urtësia e fejesës
Fejesë do të thotë: Ofertë për martesë me një grua të caktuar, dhe paraqitja e kësaj oferte, gruas ose kujdestarit të saj, në formë direkte nga fejuesi ose familja e tij[1].
Urtësia e saj qëndron në atë se fejesa është formë dhe mënyrë përmes së cilës të fejuarit kanë mundësi të njohin edukatën, moralin, animet, dëshirat dhe besimin e njëri tjetrit, përbrenda kufijëve të dipozitave islame. Prandaj nëse ka përputhshmëri dhe përshtatshmëri mes tyre, hapet rruga për hapin e ardhshëm, martesën,e cila konsiderohet lidhje e përherëshme jetësore.
Kështu që gjatë fejesës të fejuarit relaksohen dhe qetësohen psiqikisht, se mund të jetojnë të qetë dhe të sigurt, në harmoni dhe lumturi, e ky së fundi është synim i çdo muslimani dhe muslimaneje, madje edhe i familjes pas tyre.
Dispozita e fejesës
Fejesa është marrëveshje dhe premtim për martesë, dhe nuk është martesë. Prandaj nuk i lejohet të fejuarëve të vetmohen, dhe poashtu nuk i lejohet vajzës (të fejuarës) të zbuloj nga trupi i saj përveç fytyrës, shuplakave të dorës dhe shputave të këmbës.
Fejesa bëhet me dëshirë dhe vullnet të plotë nga të dy palët, gjegjësisht nga i fejuari dhe e fejuara. Nuk lejohet që askush të vendos për fejesën e vajzës ose djalit, përveç se me lejen e tyre .
Llojet e fejesës
Fejesa bëhet përmes dy formave:
1.Direkte, duke paraqitur kërkesën në formë të qartë se dëshiron të fejohet me atë grua duke thënë: “Dëshiroj të fejohem me filanen”.
2.Indirekte, duke paraqitur këkesën në formë alegorike ose tërthorazi se dëshiron të fejohet me atë grua duke i thënë: “Kërkoj një vajzë të përshtatshme për fejesë sikuse ti”,ose ”I lumtur është ai që do të ketë një grua si ti”. Këtu, gjithëashtu bën pjesë paraqitja e kërkesës përmes një ndërmjetësuesi i cili do të merr përsipër paraqitjen e ofertës, gruas së caktuar nga ana e ofertuesit.
Me kë lejohet fejesa
Në esencë lejohet fejesa e çdo gruaje, e cila plotëson dy kushte: Kushti i parë : Të mos ketë ndonjë pengesë që ndalon fejesën.
Kemi pengesa të përhershme dhe të përkohshme që ndalojnë bashkimin e një çifti, prandaj kushtëzohet që gruaja të mos bëj pjesë në asnjërën prej tyre. Pengesa të përherëshme konsiderohen afërsia nga gjaku, gjidhënia dhe miqësia.Ndërsa të përkohshme konsiderohen motra e bashkëshortes, gruaja e martuar ose e fejuar, gruaja e cila është ende ne idet, gruaja e cila nuk është pasuese e librave të zbritur nga Zoti (krishtere ose çifute), etj.
Fejesa e gruas e cila është në idet[2]
Dijetarët islam[3] janë në ujdi, se ndalohet në formë direkte fejesa e gruas e cila është në idet ,duke u bazuar në versetin kuranor: “Nuk është mëkat për ju, nëse mundoheni tërthorazi për ndonjë rast për fejesë ose nëse e fshihni në vetvete. Allahu e di se ju do t’i kujtoni ato, por mos u premtoni për lidhje në fshehtësi, vetëm nëse u flisni ndonjë fjalë të ndershme. Dhe mos e përfundoni martesën derisa të plotësohet koha e duhur”.
Paraqitja e ofertës për fejesë në formë direkte, ndalohet, për arsye se të drejtat bashkëshortore nuk kanë përfunduar gjersa gruaja është në idet. Poashtu, kjo mund të shtyj gruan të gënjejë në përfundimin e idetit të saj para kohe.
Ndërsa, kërkesa në formë indirekte ose tërthorazi së gruas e cila është në idet, duke i thënë : “Ti je shumë e bukur”,ose “fatlum do të jetë ai që të fejon”, etj. ka këto dispozita:
1.Nëse gruaja është në idet për shkak të vdekjes së bashkëshortit të saj, atëherë lejohet paraqitja e ofertës në form indirekte, për arsye se ka përfunduar lidhja martesore me vdekjen e bashkëshortit. Prandaj nuk ka gjasa për ribashkim të tyre, dhe poashtu në këtë kërkesë nuk ka ndërhyrje në të drejtën e bashkëshortit.
2.Nëse gruaja është në idet nga shkurorëzimi me të drejt kthimi (rexh’ij), atëherë ndalohet paraqitja e ofertës në form indirekte, sipas mendimit të të gjithë juristëve islam (fukahave). Kjo për faktin, se bashkëshorti ka të drejt ende të rikthej bashkëshorten në periudhën e idetit, dhe poashtu kjo paraqitje konsiderohet ndërhyrje në të drejtat e bashkëshortit.
3.Nëse gruaja është në idet nga shkurorëzimi pa të drejt kthimi (bain), poashtu, ndalohet paraqitja e ofertës për fejesë në formë indirekte, për shkak të dyshimit se gruaja mund të gënjejë në përshpejtimin e idetit të saj.Shkak tjetër i ndalesës është që mos ta pengoj ndonjëri kthimin e saj tek bashkëshorti, nëse ajo e dëshiron një gjë të tillë, si dhe mos të mendoj ndokush se paraqitësi i ofertës për fejesë, ishte shkak i prishjes së raporteve bashkëshortore, ose vet martesës.
Duhet të kemi parasysh se nëse ndodhë që dikush ta fejojë ndonjë grua gjatë kohës së idetit të saj, atëherë kjo fejesë është e brishtë, nuk është valide, për shkak se I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- ka ndaluar një gjë të tillë, ku thotë : “Mos të fejojë askush të fejuarën e vëllaut të tij”.[4]
Kushti i dytë: Të mos jetë e fejuar
Nuk lejohet të fejohet një grua e cila është e fejuar me dikë tjetër,duke u bazuar në hadithin ” Mos të fejojë askush të fejuarën e vëllaut të tij, derisa ai ta lë atë (vajzë),ose të lejoj fejesën me të (për shkak të ndarjes).[5]
Juristët islam janë unanim, se nuk lejohet dhe rreptësisht ndalohet të bëhet kërkesa për fejesë nga personi i dytë, gjersa një grua është e fejuar.Nëse ndodh një çështje e tillë, atëherë ky person është mëkatar tek Allahu i Lartëmadhëruar, duke u bazuar në hadithin e cekur më lart. Madje, kjo vepër fut armiqësi dhe urrejtje në mesin e njerëzve, ndërsa islami parandaloi të gjitha shkaqet që fusin armiqësi dhe mosmarrëveshje në mesin e besimtarëve.
Këtu kemi të bëjmë edhe me një problematikë aktuale, ndërsa ajo është se a i lejohet ndonjërit të kërkoj një vajzë për fejesë, gjersa ajo është në konsulltime me një person tjetër për fejesë?
Juristët islam kanë dy mendime lidhur me këtë çështje:
Mendimi i parë: Është e urryuer (mekruh) paraqitja e personit të dytë apo të tretë për fejesën e një vajze, gjersa personi apo ofertuesi i parë ende nuk ka marr përgjigjëje definitive nga ajo. Ky është mendimi i juristëve të shkollës hanefite.
Argumentojnë me hadithin “Mos të fejojë askush të fejuarën e vëllaut të tij, derisa ai ta lë atë”. Kuptohet nga hadithi se edhe ndërhyrja në kërkesën për fejesë nga pala e dytë është e ndaluar.Njëashtu, kjo ndërhyrje është e ndaluar për arsye se mund të sjell armiqësi në mesin e muslimanëve.[6]
Mendimi i dytë: Nuk është e urryer, dhe lejohet paraqitja e disa ofertuesëve në të njëjtën kohë. Ky është mendimi i juristëve të shkollës së malikive,shafive dhe hanbelive.
Argumentojnë me rastin e Fatime bint Kajs, e cila erdhi tek I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- të konsulltohet, kur Muaviu dhe Ebu Xhehmi i bënë ofertën për fejesë, ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- i tha: “Muaviu është i varfër, nuk ka pasuri, ndërsa Ebu Xhehmi nuk e lëshon shkopin nga supet e tij (shenjë e ashpërsisë,sh.p.), prandaj martohu me Usame ibën Zejd”. Nga ky rast shihet se Fatime bint Kajs, pati më shumë se një ofertues për fejesë në të njëjtën kohë, ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- nuk i qortoi për këtë .
Sido që të jetë, edukata islame na edukon dhe mëson që të jemi durimtar, të mos ndërhyjmë në kohën kur një grua dhe familja e saj, shqyrtojnë ose janë në konsulltime të ndonjë oferte apo kërkese për fejesë, përderisa nuk ipet përgjigjeja definitive.
Fusnotat:
1.Sabik , Fikhu suneh, 2 /152. Zuhejli, Fikhul islam ve ediletuhu,10 / 7.
2.Ideti është kohë e pritjes, e caktuar për gruan në rast shkurorëzimi,që zgjat sa tri pastrime nga cikli mujor.
3.El-Kasani,Bedai sanai, 2 / 268.
4.Fjala është për vëllazërinë islame, e jo për vëllaun nga ana e gjakut ose gjidhënies.
5.Shevkani, Nilul evtar, 5/167.
6.Muhtesar Tahavi,faqe 178.