Fejesa dhe dispozitat e saj (pjesa e dytë)

Pergatiti:
Mr. Sabri Jonuzi

 

Shikimi i të fejuarve

Islami ndaloi shiqimin e grave të huaja, pa marr parasysh a bëhet shikimi me epsh apo pa të, për arsye se shikimi është ngacmues i epshit. Allahu i Lartësuar urdhëron besimtarët në Kuranin Fisnik me këto fjalë: “Thuaj (O Muhamed) besimtarëve të ulin shiqimin e tyre “. Gjithashtu I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- thotë: “çdo musliman i cili shikon (befas) bukuritë e një femre, pastaj ul shikimin e tij, Allahu do t’ia zëvendësojë atë (vepër) me një adhurim, shijen e të cilit do ta gjejë në zemrën e tij”[1].

Nga dispozita e cekur më lart, përjashtim bën shikimi i një gruaje me qëllim të fejesës, sepse kjo ndikon që jeta bashkëshortore të jetë më e lumtur dhe më jetëgjatë.Kemi parasysh se në bazë të shikimit, personi do ta njoh gruan dhe tiparet e saj të bukura, të cilat do ta motivojnë të fejohet me të, ose të  kundërtën, do të sheh tek ajo tipare të cilat e motivojnë të mos fejohet me të.

Shikimi është element praktik dhe real para fejesës, sepse mund të ndodh që pas fejesës dhe pas njoftimit të familjeve, duke ia shtuar kësaj edhe shpenzimet që bëhen zakonisht, të pasojë ndarja për arsye të mos njohjes dhe shikimit të fejuarës. Prandaj i urtë dhe i menqur është ai i cili nuk vendos për një çështje, gjersa nuk i ka të qarta të mirat dhe të ligat e asaj çështjeje.

Kjo dispozitë nuk vlen vetëm për mashkullin, por kjo gjithashtu vlen edhe për femrën. Gruas i takon të shikojë personin i cili i paraqitet për fejesë, sepse asaj mund t’i pëlqejë ose mos t’i pëlqejë i fejuari, ashtu sikurse këtë zgjedhje ka të drejtë ta bëjë mashkulli. Zaten kjo ishte edhe këshilla e Omerit –Allahu qoftë i kënaqur me atë –i cili tha: “Atyre (grave) u pëlqenë nga ata, ajo që u pëlqenë (burrave) nga ato”.

Argumentet të cilat nxisin besimtarët të shikojnë atë që dëshirojnë të fejojnë janë të shumta, prandaj për ilustrim do t’i cekim disa prej tyre:

a-Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullahi se I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju dëshiron të fejojë një grua, le të shikojë çfarë e nxit në martesën e saj”. Thotë Xhabiri–Allahu qoftë i kënaqur me atë –: Kam fejuar një grua dhe fshihesha ashtu që të kam mundësi ta shikojë atë, pastaj pash nga ajo tipare që më nxitën në martesën e saj.[2]

b- Transmetohet nga Ebu Hurejre se një burrë kishte fejuar një grua nga ensarët, ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- e pyeti: A e ke shikuar? Tha:Jo. Ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- i tha: Shko shikoje sepse në sytë e ensarëve ka diç”.(dmth.kanë sy të vogël, sh.p.)[3]

c- Transmetohet nga Mugire ibën Shu’be se kishte fejuar një grua, ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- e pyeti: A e ke shikuar? Tha: Jo. Ndërsa I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- i tha: Shko shikoje sepse kjo ju ofron më shumë.[4]

Kuptojmë nga hadithet e cekura më lart, se personi mund të shikojë atë grua që dëshiron të fejojë me dijen ose pa dijen e saj, dhe poashtu lejohet të e shikosh disa herë nëse dëshiron. Mirëpo nuk lejohet të shikosh nga ajo përveç fytyrës, shuplakave të dorës dhe shputave të këmbës, për arsye se shikimi konsiderohet domosdoshmëri e fejesës, ndërsa domodoshmëria caktohet sipas nevojës. Kështuqë, fytyra  është tregues i bukurisë së femrës, ndërsa duart dhe këmbët janë tregues i trashësisë dhe ngjyrës së lëkurës.Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve[5].

Ndërsa ka një transmetim nga Ahmedi dhe Evzaiu, se lejohet të shihen ato pjesë të trupit  që rëndom qëndron gruaja në shtëpi gjatë kryerjes së punëve të shtëpisë, siq janë: fytyra, qafa, duart, këmbët deri tek gjuri dhe flokët.Argumentojnë me atë se I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të- lejoi shikimin e gruas të cilën dëshiron të fejosh pa dijen e saj, ndërsa kjo aludon në shikimn e atyre pjesëve që zakonisht shihen tek gratë, kur janë në prezencën e familjarëve[6].

Vetmimi me të fejuarën

Në fillim kemi cekur se fejesa është vetëm premtim i një çifti se do të martohen në të ardhmen. Prandaj nuk lejohet që të fejuarit të vetmohen në një shtëpi, ose edhe në vendet publike pa prezencën e të afërmve të të fejuarës. Nuk ka asnjë argument nga Kurani dhe suneti që lejojnë vetmimin e të fejuarëve. Përkundrazi ka argumente të bollshme që ndalojnë vetmimin, siç është hadithi: “Mos të vetmohet asnjëri nga ju me një grua të huaj, vetëm se me prezencën e të afermve të saj[7]. Ndërsa i fejuari  në këtë rast konsderohet i huaj për të fejuarën, përderisa nuk lidhet kontarta martesore.

 

Çështje serioze dhe aktuale

Çështja e parë:Disa mendojnë dhe pretendojnë se i fejuari duhet ta njoh të fejuarën, moralin dhe sjelljet e saj,që është shumë normale.Mirëpo defekti qëndron në atë se sipas tyre “për ta njohur sa më mirë njëri-tjetrin ata duhet të vetmohen, të takohen më shpesh dhe të qëndrojnë së bashku për një kohë, dhe se kjo është mënyra e vetme për njohjen e njëri-tjetrit”.

Ata që mendojnë kështu dhe u lejojnë vajzave të tyre të vetmohen me të fejuarit e tyre, pa asnjë kontroll, sigurisht se janë në gabim.Sepse femra i është ekspozuar problemeve të ndryshme si rezultat i këtij mendimi, siç është humbja e nderit, çregullim i personalitetit, demoralizim, frika nga martesa,etj.

Poashtu, jemi dëshmitar të krimeve të rënda, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, që ndodhin në jetën e përditëshme, si pasojë e prishjes së fejesës, pasi që janë zbuluar sekretet më të imëta ndaj njëri-tjetrit. Kësaj i shtohet edhe ajo se të fejuarit në këtë kohë jetojnë si njerëzit më të lumtur, ndërsa prishja e fejesës pasi që kanë marrë çështjen më të shenjët nga njëri-tjetri, padyshim që lë pasoja të paparashikueshme në personalitetin dhe të ardhmen e tyre.

Çështja e dytë: Përkundër grupit të parë, ka disa persona të ngurtë, të cilët i ka kapluar gjelozia (ndërsa gjelozia nëse nuk është në vendin e duhur, është e nënçmuar), të cilët nuk lejojnë që dikush të shikoj vajzat e tyre para fejesës, ose edhe pas fejesës. Të tillët, sidomos më herët, nuk kanë lejuar që i fejuari të shoh vajzën e tij, më konkretisht të fejuarën, përveç se në natën e martesës. Ndërsa takimi për herë të parë në këtë kohë apo në këtë natë, mund të sjell probleme të ndryshme. Andaj edhe kjo nuk përkon me konditat islame,sepse lejohet të vizitohet e fejuara në prezencën e të afërmve të saj.

Çështja e tretë: Në mes të këtyre dy ekstremeve qëndron grupi i tretë, të cilët veprojnë kinse në emër të islamit, të tillët pas fejesës lidhin kontratën martesore, e më pastaj qëndrojnë një kohë të gjatë ashtu të pamartuar(formalisht), për arsye  të ndryshme si mundësitë materiale, arsimimi, punësimi, etj.

Në esencë në këtë veprim nuk ka ndonjë të metë, pasi që me lidhjen e kontratës martesore, këta të fejuar konsiderohen bashkëshortë legjitim.

Mirëpo me dije apo pa dije, kjo formë zbeh rëndësinë e martesës,e cila është esenciale, ndërsa fejesën në këtë formë e bënë më me vlerë dhe më të rëndësishme se martesën. Konkretisht, mund të themi se kjo formë ia ka humbur vlerën reale martesës, pasi që këta “të fejuar”  kanë zbuluar të gjitha sekretet që kanë mes tyre.

Përveç kësaj, kjo kontratë martesore, e cila realisht është martesë legjitime, ka të drejtat e saj, siç është mbulimi i shpenzimeve të bashkëshortes, sigurimi i vendbanimit, mehri, trashëgimia në rast të vdekjes së ndonjërit prej tyre, etj. Ndërsa këto kushte nuk plotësohen në rastet e tilla.

Prandaj, shfrytëzoj rastin të këshilloj besimtarët që veprojnë kështu, të martohen  sa më parë, të mos qendrojnë “të fejuar” një kohë të gjatë, dhe së fundi të mos sjellin risi në fe dhe në traditë, në emër të praktikimit të dispozitave islame.

Prishja e fejesës dhe rregullat e saj

Martesa nuk është obligative për të fejuarit, prandaj të fejuarit kanë të drejtë të prishin fejesën, nëse konsiderojnë se ajo është më mirë për ata. Natyrisht, kjo nuk bëhet për arsye të thjeshta, e sidomos kur kemi parasysh se fejesa është premtim për martesë, ndërsa besimtari i drejtë mban premtimin e tij duke pas parasysh fjalët e I Dërguari i Allahut-Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të-t: “Shenjat e hipokritit janë tri: Nëse flet gënjen, nëse premton të mashtron dhe nëse i beson të tradhton”.

Kështuqë, besimtari duke mos dashur të jetë pjesë e këtij hadithi, jap maksimumin e tij në ruajtjen e fejesës, dhe nuk e prish atë vetëm se për ndonjë arsye të fortë dhe reale.

Në rastet e fejesës kur ipet mehri i tërë ose një pjesë e tij, me prishjen e fejesës kthehet mehri i japur ose kundërvlera e tij.

Ndërsa dhuratat që ipen me rastin e fejesës, atëherë ato duhet të kthehen nëse janë të ruajtura. Mirëpo nëse nuk janë të ruajtura për ndonjë arsye si humbja, shpenzimi, psh.kanë qenë të holla ose ushqim dhe janë shpenzuar, ose kanë pësuar ndryshime, si psh.ka qenë stof pastaj është qepur për rroba, në këto raste nuk duhet të kthehen dhuratat.[8]

 

Fusnotat

7-Transmeton Ahmedi

8-Subuli selam, 3 / 112.

9-Sahih Muslim.

10-Nilul evtar, 6 /109.

11- Dijetarët e medhhebit Malikij,Shafiij dhe Hanbelij konsiderojnë se lejohet të shihen vetëm fytyra dhe shuplakat e dorës.

Shiko: Fikhul hanefij fi thevbil xhedid 2 / 54. Mugni muhtaxh, 3 /128 . Kavanin fikhije, faqe 193.

12- Mugni , 6 /552. Keshful kina’, 5 /13 .

13- Mutefekun alejhi.

14- Redul muhtar, 2 /600.