Barazia ndërgjinore

Pergatiti:
Mr. Sabri Jonuzi

 

Në kohën e fundit kemi vërejtur përmes mediave të shkruara dhe elektronike,sidomos në Radiotelevizionin e Kosovës, zëra që thërasin në barazi absolute mes mashkullit dhe femrës, si dhe në të drejtat e tyre. Prandaj kjo më shtyri t’i qasem kësaj tematike mjaft të përfolur, që t’i bëhet e qartë opinionit tonë, musliman, shqiptar, se sa është reale një thirrje e tillë, dhe se a është kjo barazi ndërgjinore drejtësi, apo në realitet është padrejtësi, a duhet të jetë kjo barazi në çdo çështje të vogël apo të madhe,e kështu me rradhë.

Përmes këtij shkrimi do të mundohemi të përgjigjemi në këto pyetje, ashtu që të kemi mendim të drejtë dhe real, dhe njëashtu të refuzojmë të gjitha thirrjet e padrejta dhe të huaja, që janë në kundërshtim me fenë dhe traditën tonë shekullore.

Islami,fe hyjnore,erdhi në kohën kur padrejtësia kishte përfshirë gjithë njerëzimin, në të gjitha fushat e jetës, ku ekzistonte vetëm ligji i forcës dhe dhunës, si element kyç në raportin njerëzor.

Femra në mes të kësaj rrëmuje, padrejtësie dhe tollovie ishte e përulur dhe nënçmuar, konsiderohej si një mall i cili bartej prej dore në dorë, trashëgohej me pasuri dhe konsiderohej sikurse një kafshë, që shitej dhe huazohej.

Në këtë kohë, kur padrejtësia kishte arritur kulminacionin, Allahu i Lartësuar zbriti Kuranin Fisnik legjislacion, i cili do të vendos themelet e drejtësisë absolute dhe barazisë së drejtë në mesin e njerëzimit, duke i rikujtuar shoqërisë se Allahu krijoi njerëzit nga një mashkull dhe një femër “O njerëz,Ne u krijuam nga një mashkull dhe një femër,dhe u bëmë popuj dhe fise që të njiheni mes vete. Vërtet më fisniku nga ju është ai i cili është më i devotshëm”(El-Huxhurat,13),dhe nuk ka dallim mes tyre përveq se me devotshmëri. Prandaj,gruaja është partnere dhe participuese e mashkullit në sistemin organizativ të jetës, gëzon të drejtat e saj, ashtu siq i gëzon mashkulli të drejtat e tij,obligimet dhe përgjegjësitë që kanë janë në përputhshmëri të plotë me natyrën dhe qenien e saj, e si mos të jetë kështu kur këto të drejta i caktoi Krijuesi Suprem i gjithësisë, Krijuesi i njeriut, Allahu i Lartmadhëruar.

Kurani Fisnik vendosi barazi të plotë mes mashkullit dhe femrës në përgjegjësitë morale dhe obligimet fetare, përveç disa rasteve të pakta dhe të veçanta, ku Allahu i Lartësuar ia lehtësoi femrës barrën e disa obligimeve, duke ruajtur natyrën e saj të krijimit,si mëshirë ndaj saj.

Nga ajo që u cek më lart, shohim se besimi (imani) i femrës është i njëjtë si i mashkullit, nuk ka epërsi mes tyre” Më fisniku nga ju është ai i cili është më i devotshëm”. Njëashtu para ligjit të kësaj bote janë të njëjtë,si në veprat e mira ashtu edhe në ato të ligat, si argument mund të sjellim këto versete kuranore: ”Gruaja që bën mardhënie intime jashtë martese dhe burri që bën mardhënie intime jashtë martese, goditni secilin prej tyre me njëqind kamxhikë”(En-Nur,2), ose verseti tjetër:”Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart si ndëshkim për atë çfarë kanë kryer”(El-Maideh,38).

Kjo barazi jo vetëm që vlen në çështjet dhe dispozitat e kësaj bote, por ajo vazhdon edhe më tutje, në jetën pas vdekjes, si në shpërblim ashtu edhe në ndëshkim,kjo kuptohet më së miri nga ky verset kuranor ”Kushdo që bën vepër të mirë, burrë apo grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, të tillët do të hyjnë në xhenet ku do të furnizohen pa llogari”(Gafir,40).

Shikoni se si e vërtetoi kurani parimin e barazisë në këtë verset kuranor: ”Vërtetë që muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat, durimtarët dhe durimtaret, të devotshmit dhe të devotshmet, lëmoshdhënësit dhe lëmoshdhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit (nga amoraliteti) dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut dhe përkujtueset, për këtë Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh”,(El-Ahzab,35), pra, Allahu i bëri të barabartë besimtarin dhe besimtaren, bashkëshortin dhe bashkëshorten, djalin dhe vajzën, në këto cilësi të bukura, të përmendura më lart.

Nëse anlizojmë versetet e sipërpërmendura, kuptojmë se islami i dha të drejta absolute femrës, ashtu siq i dha mashkullit, i bëri të barabartë para ligjit të kësaj bote dhe të botës së ardhshme. Por, kjo  barazi nuk është barazi absolute në çdo imtësi,sepse në realitet do të ishte padrejtësi,për faktin se nëse anlizojmë në esencë mashkullin dhe femrën, shohim se nuk janë të njëjtë në krijim si qenie njerëzore, nuk janë të njëjtë në strukturën fizike dhe psiqike. Andaj thirrjet në barazi absolute janë thirrje shterpe, të pabaza, të zhveshura nga logjika dhe arsyeja e shëndoshë, sepse esenca ndryshon, dhe në bazë të këtij ndryshimi janë caktuar përgjegjësitë e secilit prej tyre.

            Sikur të caktojmë barazi absolute mes mashkullit dhe femrës, ashtu siq trumbetohet përmes mediave elektronike dhe ato të shkruara, përmes konferencave dhe organizimeve të ndryshme, atëherë, vërtetë me dije apo pa dije, kemi bërë padrejtësinë më të madhe historike, duke u munduar të caktojmë detyra dhe obligime mashkullit apo femrës, për të cilat nuk kanë aftësi fizike dhe psiqike në kryerjen e tyre, me një fjalë, nuk janë krijuar për ato përgjegjësi.

Kështuqë, Islami pasi që prezentoi qëndrimin e qartë në civilizimin e femrës,aftësin dhe nderin e saj, shikoi në qenien dhe natyrën e saj, pastaj në bazë të këtij kriteri caktoi obligimet dhe përgjegjësitë. Njëashtu ngriti nga ajo gjitha detyrimet që nuk i përshtaten  kësaj natyre, dhe ato që pengojnë në kryerjen e duhur të përgjejësive në shoqëri. Andaj, veçoi femrën me disa përgjegjësi,më shumë ose më pak, ngriti nga ajo disa obligime fetare dhe shoqërore; si namazi i xhumas, veshja e ihramit gjatë haxhit,lufta kundër armiqëve, etj.

Duke pasur parasysh dallimet fizike dhe psiqike së pari, dhe fetare së dyti, përpjekja për barazi absolute nuk mund të realizohet asnjëherë. Zaten për këtë shkak Pejgamberi -alejhi selam- mallkoi meshkujt që u gjasojnë femrave, si dhe anasjelltas?

Gjithashtu, gruaja e Imranit ishte në hall kur lindi Merjemin, nënën e Isaut -alejhima selam- siq e përshkruan kurani: “Pastaj kur ajo lindi (fëmijën e saj Merjemin)tha : “Zoti im! Kam lindur vajzë”- dhe Allahu dinte më mirë se ç’kishte lindur ajo- “dhe djali nuk është sikurse vajza”(Ali Imran,36).

Të vërtetën e tha, sepse vërtetë nuk janë të njëjtë djali dhe vajza, kurse këto dallime janë evidente për ata që kanë sy, vesh dhe logjikë.Ndërsa, ata që pretendojnë të kundërtën, nuk kanë kuptuar ende rolin e tyre në këtë botë, nuk dinë përgjegjësitë që kanë, andaj nuk është çudi mosmarrveshjet e shumta dhe problemet e ndryshme që ndodhin sot në botë,si rezultat i përzierjes së detyrave dhe obligimeve.

Islami është fe e natyrës së pastër, andaj edhe ndarja e obligimeve bashkëshortore mes burrit dhe gruas është bërë në bazë të kësaj natyre të pastër.Allahu ngriti burrin në aspekt fizik dhe psiqik që të ketë mundësi në mbajtjen dhe mbrojtjen e familjes në veçanti, ndërsa popullin dhe shtetin në përgjithësi.Kështuqë, mashkullit i takojnë të gjitha punët dhe obligimet e jashtme,që në esencë janë në përputhshmëri me strukturën fizike dhe psiqike të tij.Në anën tjetër,femrën e veçoi në bazë të natyrës së saj,me përkujdesje dhe edukim të fëmijëve, shtatëzënie dhe gjidhënie, rregullimin dhe mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë,me një fjalë të gjitha punët e brendshme i takojnë asaj, e që janë në përputhshmëri me strukturën fizike dhe psiqike të saj. I Dërguari i Allahut -alejhi selam- thotë : “çdonjëri nga ju jeni përgjegjës, dhe çdonjëri nga ju do të pyetet për atë që ka nën përgjegjësi, udhëheqësi(kryetari) është përgjegjës dhe do të pyetet për përgjegjësin e tij, burri është përgjegjës për familjen e tij dhe do të pyetet për këtë përgjegjësi,gruaja është përgjegjëse për shtëpin e bashkëshortit dhe do të pyetet për këtë përgjegjësi… .

Asnjëherë nuk duhet harruar se një epërsi e lehtë e mashkullit ndaj femrës, në raste të veçanta,nuk është epërsi që rezulton me përuljen dhe nënvlerësimin e femrës. Mirëpo është epërsi sistematizuese dhe rregullative që rregullon sistemin shoqëror,dhe njëashtu stabilizon dhe vë në binar mbarëvajtjen e jetës bashkëshortore, duke ditur secili përgjegjësitë e tij.Ibën Abasi thotë: “Epërsia(e cekur më lart), aludon në inkurajimin e meshkujve në mirësjellje, edukat dhe bamirësi materiale ndaj grave, që do të thotë, se përgjegjësi çdoherë sakrifikon më shumë”

Ligji apo fenomeni i të obliguarit dikë të jetë më përgjegjës ndaj të tjerëvë,është rregull në çdo sistem të jetës,duke filluar nga familja e deri tek udhëheqësi i shtetit(ende nuk kemi dëgjuar se një shtet ka dy kryetar,ose një organizatë ka dy drejtor gjeneral,..),ose nëse shkojmë më larg, edhe sundimi i gjithësisë i takon vetëm Allahut të Lartmadhëruar,I cili është Një, I Vetëm.

Krejt në fund,Allahu i Madhëruar krijoi mashkullin dhe femrën, dhe secilit i caktoi obligime dhe përgjegjësi (sipas natyrës që kanë) në mbarëvajtjen e jetës shoqërore. Dhe vetëm atëherë kur kjo kuptohet dhe respektohet,do të kemi një familje të shëndosh ose një shoqëri të shëndosh,e në fund të fundit, ky është synimi i çdo shoqërie civilizuese.

 

Referencat:

1-Kurtubiu, Xhamiu liahkamil kuran, 3/125.

2-Shenkiti , Advaul bejan, 7/630.

3-Nurudin Ater, Madha anil mereh, 136.

4-Esibag, Nedharat fil usreh muslimeh, 36.

5- Baharith, Mesulijeh el-eb el-muslim.