Vlera e namazit

Pergatiti:
Mr. Sabri Jonuzi

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut ashtu siç e meriton, dhe paqja e shpëtimi qoftë mbi Muhamedin, të Dërguarin e Allahut dhe Robin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

Nuk ka dyshim se te shkruash per namazin do te thote te shkruash per çeshtjen më me rëndësi te fesë së Allahut, pas Deshmise (Shehadetit), do te thotë te shkruash per bazamentin,shtyllën mbi te cilën ngritet Islami, fe e pastër dhe madheshtore. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpetimi i Allahut qofte mbi te- thotë: “çështja kryesore është Islami (te jesh musliman),shtylla e tij është namazi dhe kulmi i tij është lufta ne rrugen e Allahut”.

Megjithatë shihet se si njerëzit në kohët e fundit e përbuzin, anashkalojnë namazin, lënë obligimet e tij duke u zhytur në lojë dhe kotësi, duke u marrë me gjërat e pavlefshme të kësaj bote. Kështu që, me kete shkrim deshirojme t’i përkujtojmë njerëzit me vlerën e madhe të namazit, t’i përkujtojmë me dobite fizike dhe shpirterore te tij, dhe kundrejt kesaj t’i përkujtojmë me rreziqet qe ballafaqohen ata që e lënë këtë obligim.Andaj kushdo që e përbuzë namazin do ta përbuzë edhe Islamin, sepse respekti që ka njeriu ndaj Islamit manifestohet me respektin që ka ndaj namazit. Nje dijetar i urte shënohet të ketë thënë: “O bir i Ademit ç’do të madhërosh në fenë tënde nëse e  përbuzë namazin.”

Prandaj, me plot te drejte mund te themi se namazi është shtylla më e fortë pas Dëshmisë (Shehadetit), dhe vepra më e mirë pas saj, për shkak se është caktuar në formën më të përsosur dhe më të mirë të adhurimit, dhe njeherit ka mbledhur ne vete të gjitha format e adhurimit. Është kushti i parë të cilin e kushtëzoi i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpetimi i Allahut qofte mbi te- pas besimit. Është kulminacioni i adhurimit fizik, dhe është obligim i domosdoshëm i umetit i cili nuk ka munguar as në ligjet (sheriatin) e mëhershme të asnjë të Dërguari te Allahut te Madheruar.

Obligueshmëria e tij përfshin çdo musliman të moshës madhore dhe nuk lirohet nga ky obligim në asnjë rast, për dallim nga obligimet tjera. Transmetohet nga El-Misuer ibën Mahremeja -Allahu qoftë i kënaqur me të- që ka thënë:  “Hyra tek Omer ibnul-Hattabi -Allahu qoftë i kënaqur me të- e ai ishte i shtrirë në agoni (pasi ishte therur disa herë me thikë), u thashë njerëzve që ishin përreth: “Si është?” Më thanë: “Siç po e sheh.” U thashë: “Zgjojeni me namaz, ngase nuk keni mundësi ta zgjoni me diçka më frikesuese për të sesa namazi.” Atëherë i thanë: “Namazi o udhëheqësi i besimtarëve!” Tha Omeri -Allahu qoftë i kënaqur me të-: “Ja menjëherë, se nuk ka te drejte në Islam ai i cili lë namazin.”, fali namazin gjersa plaga e tij rridhte gjak.”

Njeriu është i obliguar të jetë në namaz me gjithë qenien e tij, me te jashtmen dhe të brendshmen, me ç’rast përfshihen zemra, gjuha dhe organet tjera të tij. Për këtë, atij që falet i ndalohet ngrënia, pija, të kthyerit djathtas apo majtas, lëvizjet e parregullta, për dallim nga adhurimet tjera, ku obligimi bie mbi disa gjymtyrë e jo mbi të gjitha, kështu që agjëruesi mund të flasë dhe të lëvizë, po ashtu muxhahidi (luftëtari) mund të kthehet siç të dojë dhe të flasë, e edhe haxhiu mund të hajë dhe të pijë, ndërsa në namaz përfshihen të gjitha llojet e adhurimit qofshin ato të cilat kryhen me zemër,mendje, trup apo gjuhë.

 

Namazi është rrugë e besimtarëve dhe adhurim i gjitha krijesave

Ata që falin namazin janë të dashurit e Allahut për të cilët nuk do të ketë frikë e as pikëllim. Për të tillët qan qielli dhe toka kur kalojnë tek Allahu (vdesin).

Namazi është adhurimi më i lashtë, kështu pasi që është prej kërkesave të domosdoshme të besimit (imanit) ai nuk ka munguar në asnjë shpallje të mëhershme. Nuk ka ndodhur të derogohet ngase nuk ka dobi në atë fe në të cilën nuk ka namaz, prandaj edhe të gjithë të Dërguarit e Allahut -paqja e Allahut qoftë mbi ta- kanë nxitur njerëzit për namaz.

Allahu tregon për lutjen që ia bëri Ibrahimi -paqja e Allahut qoftë mbi të- kur tha: “O Zot më bë mua prej atyre që falin namaz e edhe pasardhësit e mi (bëri të tillë).” Ndërsa Isai -paqja e Allahut qoftë mbi të- derisa fliste për dhuntitë e Zotit të Madhërishëm, ka thënë: “Dhe Ai (Zoti) më ka bërë mua të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar me namaz dhe zekat sa të jem gjallë.”

Duhet ditur se jo vetem njerezit jane te obliguar me namaz,por edhe çdo krijese e Allahut qe eshte ne qiell dhe ne toke, per kete Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e sheh se Allahun e Madhëron gjithkush që është në qiej dhe në tokë, e edhe zogjtë me krahë të hapur. Secili e di faljen dhe madhërimin e Tij (ashtu sikur e mësoi Allahu). Allahu është i Gjithëditur për atë që veprojnë.” (Nur, 41). Sipas kësaj çdo falës i namazit dhe çdonjëri që madhëron Allahun është i udhëzuar me njohjen e formës së namazit dhe mënyrës së madhërimit të Allahut.

Krahas njerëzve edhe xhinët janë të obliguar ta falin namazin,ndersa kete e kuptojme me se miri nga verseti Kur’anor : “Nuk krijova xhinët dhe njerëzit, përveçse që të më adhurojnë”.

Po ashtu edhe melekët falen: Transmetohet se Hakim ibën Hizami -Allahu qoftë i kënaqur me të-, ka thënë: “Gjersa (një ditë) i Dërguari i Allahut ishte në mesin e shokëve të vet, u tha atyre: “A dëgjoni atë që dëgjoj unë?” Thanë: “Ne nuk dëgjojmë asgjë.” Tha: “Me të vërtetë dëgjoj krikëllimat (kërcitjet) e qiellit, e nuk është çudi se kërcet, sepse nuk ka asnjë vend sa pëllëmba në të e që mos të ketë aty melek  duke bërë sexhde apo duke qëndruar në namaz.”

 

Namazi është shërim për të sëmurit psiqik

Në namaz njeriu gjen qetësi psiqike dhe prehje shpirtërore, si dhe shpetim nga pakujdesia e cila largon njeriun nga misioni i tij i lartë në këtë jetë. Sikur ta dinin ekspertët e shëndetit mental rëndësinë e tij, do t’ua kishin preferuar pacientëve të tyre namazin si terapi prioritare, sepse në të ka shujta shpirtrore, infuzione qe i ka pershkruar Krijuesi i njerezimit, e qe fshehtësitë e tij nuk i di askush përveç Allahut të Madhëruar.

Në namaz ka ilaç dhe shërim të shumë çrregullimeve psikike si shqetësimet dhe depresioni.Namazi shuan etjen shpirterore dhe e ngop shpirtin me rehati dhe prehje, gje qe nuk ka mundesi ta bejne medikamentet dhe barnat mjekesore, ndersa njerëzimi i është nënshtruar udhëzimeve dhe porosive të specialistëve të mjekësisë të bazuar në përvojën e kufizuar dhe supozimet e tyre.Pra, namazi është i mbushur me dhikër dhe nënshtrim ndaj të Larte­ma­dhëruarit, zgjeron gjoksin dhe largon ngushtimin e zemres, prandaj ai që mediton rreth Fjalëve të të Madhëruarit: “Ne e dimë se gjoksi yt ndien ngushtim nga ajo që thonë. Andaj lavdëro Zotin tënd sipas madhështisë që i takon dhe bëhu prej atyre që bien në sexhde.” (Hixhr, 97) do ta kuptoj këtë, kështu që ai që e fal namazin gjen në vete lehtesim pas përfundimit të tij, sikurse ta ketë larguar nga vetja ndonjë barrë të rëndë. Ai bëhet i zellshëm, ndien rehati dhe qetësi, sa që do te shpresonte te mos e perfundonte ate,  ngase namazi është kënaqësi shpirtërore dhe kulminacion i prehjes së njeriut, është xhenet i zemrës dhe pushim në këtë botë. Po ashtu i Dërguari -paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Kulminacioni i prehjes sime është në namaz.”

Kete e sqaron rasti i një shtetasi gjerman i cili pa një musliman në sexhde, u çudit shumë nga kjo lëvizje, e cila e detyroi të priste derisa ky musliman të përfundojë namazin e tij, pasi që përfundoi, u afrua dhe e pyeti për kuptimin e këtyre lëvizjeve e sidomos ajo që ka të bëjë me sexhden. Ky musliman i sqaroi kuptimin e namazit, urtësinë dhe ndikimin e tij, ndërsa ky derisa dëgjonte shpjegimin, prekej me një ndjenjë që i ngjasonte hutimit të përzier me gëzim, sikur kishte gjetur diçka që kërkonte për shumë vite, pastaj i tregoi muslimanit shkakun e mahnitjes së tij, se ai lëngonte nga një sëmundje psikike, një ngushtim të vazhdueshëm dhe se sa herë që vendoste ballin e tij në tokë ndjente qetësi dhe rehati, kështu që sa herë i përsëritej ky ngushtim psikik vendoste ballin e tij në tokë që të gjente qetësinë, derisa e pa këtë musliman dhe kuptoi fshehtësinë e kësaj qetësie (rehatie) që e ndiente në këtë pozitë. Pastaj muslimani e shoqëroi këtë person deri në qendrën islame në qytetin Munih, ku përgjegjësit i shpjeguan për Islamin dhe menjëherë pas kësaj tha (shpalli) dëshminë (shehadetin) dhe përqafoi Islamin.

Prej lajmeve mahnitëse është ajo që e shpërndau revista “Ed-Dave” (Thirrja) numër 1225, se drejtori i psikiatrisë në Gjermani kishte zakon t’i shërojë pacientët e tij duke i shtyrë ata që të dëgjojnë ezanin, pa ditur se kjo është thirrje islame në gjuhën arabe për kryerjen e namazit, kur u zbulua kjo e vërtetë, tha udhëheqësi i psikiatrisë në Gjermani: “Me të vërtetë se fjalët e ezanit me të cilat thërrasin muslimanët në namaz, fusin qetësinë në zemrën e të sëmurit psikik edhe pse ai nuk kupton kuptimin e tyre!!!”, dhe shtoi: “Vërtetë se ezani mbjell dritë dhe shpresë në brendinë e të sëmurëve me depresion, apo atyre që nuk kanë vetëbesim, apo të atyre që urrejnë jetën apo të atyre që kanë ndjenjën e dështimit në jetë.”

 

Sexhdeja së cilës i rrëqethen kodrat

Njeriu kur bën sexhde, lirohet nga prangat e pasimit të verbër, pranga të cilat i ka obliguar shoqëria, zakonet apo kulturat, andaj bie në sexhde për Allahun duke e ulur fytyrën e tij, duke e pluhurosur ballin, e kjo i jep zemrës timonin e udhëzimit, andaj nuk ka pengesë në frikërespekt, e as qortim për lotët që derdhë, e njeherit gjoksi i tij vlon nga kjo madhështi, për këtë thanë sahabët -Allahu qoftë i kënaqur me ta-: “Në gjoksin e tij (te Dërguarit – paqa dhe shpetimi i Allahut qofte mbi te-) kishte zëzëllimë sikur që zëzëllon kazani kur vlon uji në të, nga të qajturit e tij.”

Sexhdja është forma më e afërt dhe më e dashur tek Allahu siç është cekur në hadith: “Njeriu më së afërti është tek Zoti i tij kur ai është në sexhde, andaj shtoni lutjet (në këtë pozitë).” Keshtuqe falësi shfrytëzon këtë rast të çmueshëm, shton lutjet dhe adhurimin duke thënë në këtë moment me gjuhën e shprehjes apo të gjendjes: “O Zot, kërkoj nga Ti ashtu siç lyp i varfëri, të dorëzohem Ty ashtu siç dorëzohet mëkatari i përulur, të lus Ty siç lutet i verbëri i frikësuar, me lutje të atij që para Teje ka nënshtruar qafën dhe lotët i rrjedhin për Ty, ka përulur trupin e tij për Ty dhe e ka nënshtruar.”

Kjo është sexhde së cilës i rrëqethen kodrat e larta, i dridhet toka dhe i frikësohen kolosët pa fe, e kjo në historinë e umetit dhe sprovat e tij ka lajme të çuditshme. Gjithashtu i Dërguari i Allahut kishte këshilluar Thevbanin,shërbëtorin e tij me këto fjalë:‘Të besh sa më shumë sexhde për Allahun, sepse sa herë që të bësh sexhde për Allahun , Allahu do të të ngre me të një gradë dhe do të të shlyejë një mëkat.’”

Vlen te cekim rastin e Abdullah ibën Zubejrit-Allahu qoftë i kënaqur me të-kur nje dite ishte duke u falur në shtëpi, dhe ndërkohë zbriti një gjarpër nga tavani i cili u mbështoll mbi barkun e birit të tij Hishamit, gratë filluan të bërtasin dhe anëtarët e shtëpisë u lemeritën. Në ndërkohë u mblodhën që ta mbysnin gjarperin dhe më në fund e mbytën, e fëmiu shpëtoi. E tërë kjo ndodhi gjersa Ibën Zubejri ishte në namaz, nuk lëvizi e as nuk diti se çfarë po ndodhte në shtëpinë e tij derisa kreu namazin.

Krejt ne fund, musliman i dashur ke parasysh se me të vërtetë vdekja është ndarje mes kësaj bote dhe botës së përhershme, njëkohësisht është vijë ndarëse mes botës së provimit dhe botës ku shihet suksesi, andaj pas kësaj për askënd nuk ka qortim e as arsyetim, e as nuk ka mundësi të shtohen të mirat e as të pakësohen veprat e liga,ndersa i Dërguari -paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të- thote : “Ashtu siq keni jetuar edhe do te vdisni”.

 

Andaj, o lenes i namazit:

Deri kur do te therrase Zoti yt , e ti iken e nuk pergjigjesh? Sa njerez kane pare momentet e vdekjes se lenesve te namazit dhe kane marre mesim,e ajo qe nuk shihet eshte shume me e madhe.E si te kete perfundim te mire ai qe Allahu ia largoi zemren nga perkujtimi i Tij, pasoi epshin e vet, e veprimet e tija ishin te shfrenuara?

 

 

Referencat:

  • Muhamed bin Ahmed bin Ismail Mukadem , Es-Salatu limadha, Meke, 2001 . Kryesisht jam bazuar ne kete liber.
  • Velijullah Dehlevij , Huxhetullahil baligah, Bejrut,1997.
  • Vehbi Zuhejli , Fikhul islami ve ediletuhu , Damask, 1989.
  • Muhamed bin Muflih, El-Adabu sher’ijeh vel minehul mer’ijeh, Kuvajt, 2000.
  • Kemaludin Muhamed (Ibnul Hemam), Sherh fet’hul kadir, Bejrut, 2003.